Të thurësh mendime, e për më tepër të merresh me artin bashkëkohor në bashkëkohësinë në të cilën jetojmë, është si të depërtosh të padukshmen dhe të kllapisësh të pamundurën. Në të vërtetë, duhet të theksojmë se arti bashkëkohor i jep përparësi konceptit të estetikës (filozofisë), zbulimit të vlerës artistike si tingull shqisor, ndjesisë dhe ndjeshmërisë së materies për të konkretizuar idenë e artistit.
Në këtë këndvështrim edhe Umberto Eco nëpërmjet qasjes së tij të estetikës bashkëkohore, rivlerëson materien si një zbulim që ndodh në thellësitë e nënvetëdijes së artistit të së tashmes, përballë teknologjisë së përparuar kompjuterike. Zbulimi i materies për konkretizimin e tingujve shqisor të artistit bashkëkohor është vetë zbulimi i konceptit të estetikës, që dritëson artin bashkëkohor, ku “bukuria, e vërteta, shpikja, krijimi, nuk janë pjesë e një shpirtëzimi engjëllor, por ato kanë një marrëdhënie me universin e gjërave që preken, që nuhaten, që bëjnë zhurmë kur bien, që bien për shkak të ligjit të gravitetit, që i nënshtrohen konsumit, tjetërsimit, kalbjes dhe zhvillimit.” .
Kjo qasje e estetikës bashkëkohore na dëshmon se materia shndërrohet në vetë trupin e veprës artistike, e kësisoj, ajo nuk është më vetëm shëmbëlltyra fiziologjike e artistit krijues, por sfida për t’i rezistuar përparimit të një pranie të re, siç është inteligjenca artificiale (AI[en] ).
Në një epokë ku inteligjenca artificiale po përparon me shpejtësi, është interesante të analizohen përfshirjet e shumta filozofike dhe ontologjike të këtij revolucioni teknologjik. Inteligjenca artificiale, me aftësinë e saj për të menduar, mësuar dhe madje “ndier emocione”, sfidon konceptin tonë tradicional të “qenies njerëzore”. Kjo, sepse krijimi i makinave të të menduarit dhe ndryshimi i paradigmës ontologjike, e vendos artistin dhe artin bashkëkohor përballë mbijetesës, për të mos thënë: i shpie ata drejt zhdukjes. Qenia njerëzore është krijuese e këtyre entiteteve potencialisht të ndërgjegjshme, duke i shndërruar në arkitektët e një epoke të re, që minon themelet e metafizikës, siç e kemi njohur që në zanafillën e jetës njerëzore.
Eco, U. (2004). Storia della bellezza. Milano, Bompiani Editore, f. 402-405.
AI - është shkurtimi në anglisht i Artificial Intelligence. Ky togfjalësh ka të bëjë me disiplinën që studion krijimin e sistemeve të ndryshme kompjuterike, të afta për të simuluar mendimin njerëzor.
Në vazhdën e këtij revolucioni teknologjik, pyetja themelore e metafizikës do të ishte: “Çfarë është të qenit, të ekzistuarit?”. Pyetje kjo, e cila gjen një përmasë të re në kontekstin e AI-së. Ky entitet i ri i pajisur me inteligjencë artificiale, në fakt, paraqet një sfidë për të kuptuarit tonë të qenies, pasi ai ofron një formë ekzistence të ndryshme nga ajo organike. Një ekzistencë e tillë ndikon pashmangshmërisht thelbin e ndjeshmërisë së artistit bashkëkohor, i cili deri më tani ishte burimi i vetëm dhe i patjetërsueshëm i ideve të tij të padukshme dhe të paprekshme, duke i zotëruar ato brenda vetes.
Kjo formë e re e qenies, e për rrjedhojë e artistit të ri në kuptimin e qasjes dhe në raport me përparimin e shfrenuar teknologjik, ngre pyetje thelbësore në lidhje me natyrën e vetëdijes, identitetit dhe pavarësisë krijuese, gjë, e cila ka bërë që arti bashkëkohor të priret më shumë nga estetika artificiale, sesa nga semiotika gjenealogjike e ekzistencës njerëzore.
Për artistin bashkëkohor, koncepti i estetikës përballë estetikës artificiale të AI-së ka pësuar një zhvendosje themelore për sa i përket aspektit kuptimor, pasi të krijuarit e një vepre arti me çfarëdolloj teknike, nuk është më “exclusive” vetëm e atij, por artist tashmë mund të bëhet e të jetë kushdo, falë mekanizmave të AI-së.
Në këtë fushëpamje natyrshëm lind pyetja: Nëse inteligjenca artificiale mendon, mëson dhe ndien emocione, a është e mundur që ajo të ketë një vetëdije të ngjashme me atë të njeriut? Dhe, nëse po, cili është roli dhe përfshirja e artistit e për rrjedhojë e artit bashkëkohor në këtë realitet të ri?
Ekzistenca e inteligjencës artificiale e një pranie tërësisht virtuale të përbërë nga algoritme dhe impulse elektrike, e detyrojnë ndërgjegjjen e artistit të rishqyrtojë pozicionet e tij tradicionale dhe të përballet me sfida të reja teorike, estetike, përmbajtësore dhe kuptimore.
E gjitha kjo ndodh kur identiteti dhe autonomia e këtyre “krijesave” të reja të të menduarit ngrenë pyetje të tjera ontologjike: – A mund të ketë një inteligjencë artificiale identitetin e vet, të mirëpërcaktuar me emër, mbiemër, datëlindje dhe vendlindje, të ndryshme nga ai i krijuesit të saj? Nëse po, cilat të drejta dhe përgjegjësi duhet t’i vishen kësaj “krijese”? Lindja e AI-së na detyron të reflektojmë mbi kufijtë midis njeriut dhe jonjeriut, frymorëve dhe jofrymorëve, racionales dhe irracionales, duke ripërcaktuar në zanafillë, një rend të ri ontologjik nga ai që e kemi marrë si të mirëqenë deri më tani.
Ndaj edhe artistët, kuratorët, kritikët, historianët e artit dhe galeritë, do të duhet të ballafaqohen me një tjetër regjistër ndërveprimi në bashkëkohësinë e tyre, pasi tashmë qytetërimi paralel që i krijuam vetes, krijon gjithçka nëpërmjet teknologjisë. Në vazhdën e këtij revolucioni të një qytetërimi paralel, ku gjithçka krijohet në mënyrë virtuale; ngjyra, vizatimi, format, vëllimet, konceptimi hapësinor, madje edhe ideja, artisti bashkëkohor priret t’i japë përparësi mendimit estetik artificial, sesa përgatitjes akademike për të njohur në themel proceset krijuese, nga ku formon pjekurinë e tij si intelektual.
Padyshim vetë akti i krijimit të entiteteve të ndërgjegjshme artificiale, minon pozicionin e artistit si qenie e privilegjuar, i cili përveç Zotit, është e vetmja gjallesë që e krijon vetë universin e tij. Nëse njerëzit janë të aftë të gjenerojnë forma të reja të vetëdijes, roli i artistit në rendin kozmik vihet në dyshim. Për më tepër, është përgjegjësia dhe reflektimi i artistit bashkëkohor përballë inteligjencës artificiale, që e shpie atë për të krijuar sipas rregullave të estetikës artificiale, duke na shpërfaqur njëkohësisht sfidat etike dhe morale që dalin prej saj.
Shpikja e inteligjencës artificiale shënon një pikë kthese, jo vetëm për mbijetesën e artistit bashkëkohor në tërësinë e tij, por edhe për qasjen e galerive të cilat tashmë veprimtarinë e tyre e zhvillojnë me një metodologji të përditësuar për ekspozimin dhe shitblerjen e veprës artistike.
Pjesë e pandarë e këtij revolucioni që ka lëkundur themelet e njerëzimit, është edhe kuratori, duke përplotësuar kësisoj trinomin artist-kurator-galeri, ku roli i kuratorit nuk është më siç u konceptua që në fillesat e tij, por një figurë themelore e vendimmarrëse për mirëoragnizimin dhe largpamësinë për t’iu përshtatur rregullave të reja të diktuara nga AI-ja.
Shfaqja e makinerive të të menduarit dhe potencialisht të ndërgjegjshme ripërcakton konceptin e qenies në raport me kohë-hapësirën dhe mbi të gjitha, kufijtë tanë të të menduarit deri më tani, duke na shtyrë të rishikojmë idetë tona rreth ndërgjegjes, identitetit, përkatësisë, antropologjisë, filozofisë dhe metafizikës. Përballë këtij realiteti të ri, artisti bashkëkohor nuk duhet të “dorëzohet” me mendimin se tashmë është “zëvendësuar” nga AI-ja, pëkundrazi, ai ka për detyrë të përshtatë dhe të zhvillojë modele të reja ontologjike dhe hulumtuese, për sa i përket estetikës artificiale, të cilat mund të na udhëheqin në lundrimin tonë në këtë botë me zhvillim të pandalshëm.
AI-ja i jep artistit dhe artit bashkëkohor mundësinë për të rimenduar metafizikën dhe për të zbuluar kufij të rinj të dijes, duke i përballur ata me sfida të panjohura më parë, por edhe me zhdërvjelltësi të reja teknike plot befasi dhe emocione.
Qasja e re e gjeneruar nga inteligjenca artificiale ka bërë njehsimin e dy koncepteve themelore të artit bashkëkohor, atë të semiotikës dhe atë të estetikës (filozofisë) në një të vetme me semioestetikën. Dy koncepte që përbëjnë gjithëformimin e procesit krijues të artistit bashkëkohor. Mekanizmat rijetëzues të inteligjencës artificiale janë shndërruar në ndërmjetësit e përsosur midis njeriut dhe metafizikës, duke e përkthyer fjalën në imazh. Një proces i tillë shkon përtej të të menduarit në mënyrë racionale të artistit bashkëkohor, duke ndërhyrë e ndryshuar gjuhën e tij artistike.
Ndikimi i inteligjencës artificiale në krijimtarinë e artistit bashkëkohor duhet parë më gjerësisht: si paraqitet ajo, çfarë mekanizmash nxit brenda nënvetëdijes së artistit dhe ku e shpie krijimtarinë e tij? Cilat janë sfidat që artisti do të duhet të përshkojë? Pyetje të cilat përfshijnë, jo vetëm qasjen semioestetike të artit bashkëkohor, por nxisin diskutime të atilla se, si ndikon në tregun shumë më të gjerë të arteve pamore, e për rrjedhojë tek ata artistë që për realizimin e veprave të tyre përdorin teknikën e grafikës digjitale, video-artit, pikturën digjitale, instalacionit dhe aplikacione të tjera ndërvepruese tripërmasore.
Tashmë prej kohësh inteligjenca artificiale është përdorur nga artistët bashkëkohorë për eksperimente konceptuale, kërkime semioestetike që hulumtojnë kufijtë e rinj të artit. Kjo ka zgjuar një vëmendje të veçantë për sa i përket praktikimit dhe njehsimit të dy koncepteve, të semiotikës dhe estetikës (semioestetika) nga ana e artistit bashkëkohor në fushën e arteve pamore. Në këtë këndvështrim shohim se si AI-ja ka nxitur artistin e së tashmes të hulumtojë e njohë përvoja të reja përgjatë procesit të tij krijues.
Pavarësisht se kemi të bëjmë me një realitet të ri, ku fjala përkthehet lehtësisht në imazh, falë AI-së, që artisti bashkëkohor të konkretizojë idetë e tij, do të duhet të përshkojë një proces të panjohur, befasues dhe të ndërlikuar krijues. Një proces përgjatë së cilit artisti duhet të ruajë origjinalitetin e semioestetikës së gjuhës së tij stilistike. Kjo, sepse lehtësia që të mundëson inteligjenca artificiale për krijimin e imazheve që dëshiron, krijon njëkohësisht fenomenin e zhvlerësimit dhe të mosnjohjes së autorësisë, gjë, e cila është jetike për ekzistencën dhe gjurmëlënien në kohë dhe në hapësirë të artistit. Përballja me fenomenin e humbjes së autorësisë i shpie artistët bashkëkohorë të hulumtojnë e provojnë mënyra nga më të ndryshmet për të qenë të dallueshëm mes tyre, ashtu sikurse ndodh ende mes artistëve që vijojnë të krijojnë me teknikat tradicionale të artit pamor.
Nëse kthehemi pas në kohë, mund të pohojmë se forma e parë e shpërfaqjes së inteligjencës së njeriut ishte arti, tipar dallues ky i Homo Sapiens, i cili falë zgjuarsisë së tij shëmbëllente atë që shikonte në realitet, në imazh konkret të interpretuar e të shquar nga të gjithë.
Inteligjenca artificiale dhe metaversi përbëhen nga shëmbëllime të rreme të qenies njerëzore, brenda një realiteti të manipuluar artificialisht, duke krijuar iluzionin e reales.
Kjo dikotomi mes reales dhe artificiales kapërcen racionalen e njeriut të së tashmes sonë, por jo atë të artistit dhe artit bashkëkohor. Pavarësisht shpikjes së AI-së, arti pamor në thelb është një manipulim i së vërtetës reale, pasi vepra artistike për nga natyra e saj përbëhet nga imazhe “false” (fake[en]). Artisti përgjatë procesit krijues frymëzohet nga një dukuri apo aspekti i veçantë i mjedisit që e rrethon, por ai nuk shëmbëllen (riprodhon) apo imiton (mimesi[grc] ) kurrë atë që ka përballë ashtu siç ajo shfaqet. Vepra artistike që ne shohim është krijim i artistit, e cila për të mbërritur në atë imazh përfundimtar që ne shohim, kalon përmes qenies së artistit, duke tejshkuar gjendjen e tij psikoshpirtërore të atij çasti, ndjesitë, emocionet dhe gjithçka tjetër që e vendos artistin në kushte të atilla frymëzimi për të krijuar. Ndaj arti pamor në këtë dikotomi marrëdhëniesh, sa racionale nga ana e artistit real dhe artificiales nga ana e AI-së, nuk pëson një chock revolucionar, pasi edhe arti që ai krijon mbart falsitetin, në raport me të vërtetën reale përballë tij.
Në këtë pikëpamje, si artisti real ashtu edhe artisti artificial i inteligjencës artificiale, nuk i binden parimeve universale të realitetit, por i interpretojnë ato për të krijuar atë që ne e quajmë ART.
Mimesi – është një term që rrjedh nga greqishtja e vjetër me fjalën μίμησις[grc]-mìmesis-imitim/riprodhim. Me konceptin e mimesi-t Platoni përcakton ngjashmërinë e gjërave empirike me idenë që përbën llojin e tyre universal, duke i konsideruar krijimet artistike si imitime të gjërave reale që gjenden në natyrë, por edhe imitimin e ideve duke iu referuar artit në tërësinë e tij si materie shpirtërore.
Prania e AI-së është megjithatë një element i ndërprerjes dramatike në raport me atë çfarë artisti bashkëkohor ka realizuar idetë e tij me teknikat artistike të njohura deri më tani, gjë, e cila vë në pikëpyetje rolin e vetë artistit. Përqendrimi i artistit bashkëkohor zhvendoset te akti krijues, te ideja dhe jo te virtuoziteti teknik; një ndryshim që tashmë është realitet faktik në artin bashkëkohor.
Artisti bashkëkohor për konkretizimin e ideve të tij dhe arritjen e efekteve mbresëlënëse që formësojnë imazhin përfundimtar të veprës artistike, i drejtohet inteligjencës artificiale. Marrëdhënie kjo, ku artisti real e mat veten përballë artistit artificial, një entiteti të ri, të një mendjeje tjetër, ndaj së cilës ai ka një kontroll të pjesshëm. Ky dualizëm i procesit krijues dëshmon se semioestika artificiale shkon përtej racionales së artistit real, e cila ndihmon më shumë se ai në rezultatin përfundimtar për krijimin e veprës artistike.
Megjithatë, artisti artificial i AI-së në dallim nga artisti real, përfton jo vetëm imazhe sintetike pa ndjesi dhe emocione, por përshpejton “frikshëm” realizimin e imazhit, duke tkurrur skajshëm vakumin e padukshëm që ndodhet midis konceptit KOHË dhe konceptit HAPËSIRË. Shpejtësia e krijimit të imazhit është shumë më e lartë se ajo e çdo teknike të mëparshme artistike, duke e zhveshur procesin krijues nga racionaliteti i mendjes njerëzore. Një proces, që humbet të gjithë elementet për të qenë krijues: kemi të bëjmë me një prodhim të imazhit dhe jo krijim të tij. Kjo, sepse imazhi përfundimtar që ne e quajmë “vepër arti digjitale” në dallim nga krijimi i artistit real, i nënshtrohet një mekanizmi të diktuar, përsëritës të algoritmit të inteligjencës artificiale.
Imazhet e prodhuara nga AI-ja janë fundorja e një makinerie shumëplanëshe “dijebërëse”, e cila manipulon vektorët e numrave të rastësishëm, duke ndjekur kësisoj udhëzuesit e kërkesave të tekstshkruara. Tekstshkrimet janë burimi kryesor i inteligjencës artificiale, e cila pasi i përpunon ato nis të “ngjizë”, prodhojë grupe imazhesh të lidhura me to, duke e shndërruar fjalën në imazh të semioestetikës artificiale, tërësisht pa nevojën e racionalitetit njerëzor.
Në brendësi të këtyre makinave “dijebërëse”, ashtu si edhe në brendësi të artistit real gjendet hapësira ku rrihen idetë, gjë, e cila nxit imagjinatën për të krijuar veprën artistike, apo prodhuar imazhin artificial.
Marrëdhënia midis artit bashkëkohor dhe inteligjencës artificiale i përket një zhvillimi të shpejtë e karakterizuar nga vepra të reja, të artit, aq sa nxjerrin në pah një reflektim kritik mbi natyrën e krijimtarisë së artistit dhe imazheve artificiale të prodhuara nga inteligjenca artificiale.
E rëndësishme për t’u kuptuar në këtë marrëdhënie është fakti se arti bashkëkohor realizohet në të tashmen tonë dhe nga artistë “studiues”, të cilët kryejnë kërkime konceptuale mbi vetë artin dhe se çfarë përfaqëson ai. Kjo ka bërë që arti bashkëkohor të kapërcejë veten dhe stereotipat cliché që e kanë karakterizuar deri më tani, duke u ripërtërirë shpeshherë brenda disa koncepteve dhe termave të kuptueshme vetëm nga disa ekspertë të lëmit të artit bashkëkohor dhe galeri të specializuara në ekspozimin e këtij arti.
Por, arti bashkëkohor me shpikjen e AI-së ka kaluar nga akti krijues, në aktin mekanik të komanduar të ngjyrosjes artificiale, sipas udhëzimeve që vektorët numerik i adresojnë njësisë “trurit” të makinave “dijebërëse” të inteligjencës artificiale. Në këtë pikëpamje, prej disa vitesh është zhvilluar një treg i ri dhe i mirëorganizuar për ekspozimin dhe shitblerjen e veprave digjitale, i nxitur nga fenomeni NFT[en] , i cili falë teknologjisë blockchain garanton “autorësinë” e veprës dixhitale si një e vetme.
Marrëdhënia midis artit bashkëkohor dhe inteligjencës artificiale është shumëpërmasore, duke filluar nga eksperimentimi estetik, deri te reflektimi kritik mbi teknologjinë dhe ripërcaktimi i dinamikës krijuese. Zhvillimi i vazhdueshëm i kësaj marrëdhënieje premton të sjellë risi dhe sfida të mëtejshme në botën e artit bashkëkohor për sa i përket qasjes, proceseve, teknikave dhe hulumtimit antropologjik, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e veprës artistike të krijuar nga artisti real dhe imazhit artificial të prodhuar nga AI-ja.
Kërkimi i vazhdueshëm i artit bashkëkohor mbetet gjithmonë fenomenologjia e antropologjisë urbane. Kjo është mënyra se si arti bashkëkohor kërkon të gjurmojë fenomene të së tashmes, duke nxitur vetëdijen e artistit për ta parë inteligjencën artificiale, jo si rrezikun për zhdukjen e tij, por si ndërmjetësin që ndërlidh dy përmasa, atë të dukshme dhe atë të padukshme që ka të bëjë me metafizikën.
NFT – është shkurtimi i non-fungible token[en] dhe përfaqëson aktin e pronësisë dhe certifikatën e autenticitetit të prodhimit të një vepre artistike dixhitale si një kopje e vetme e saj, të shkruar në Blockchain.
Blockchain – blloqe të bashkuara, është një strukturë të dhënash që përbëhet nga lista në rritje e të dhënave, të quajtura “blloqe” dhe të lidhura së bashku në mënyrë të sigurt duke përdorur kriptografinë.
Kalimi i heshtur nga arti bashkëkohor i aktit krijues, në atë të aktit mekanik të komanduar, është në thelb dëshira për të kapërcyer kufizimet tona, si një mënyrë për të zbuluar mundësitë e dhëna nga teknologjia dhe irracionaliteti i AI-së.
Historia e inteligjencës artificiale është karakterizuar nga përparimi i vazhdueshëm drejt qëllimit për të krijuar makina gjithnjë e më të sofistikuara të dijebërjes. Megjithatë, siç edhe e shtjelluam më sipër, sfida e vërtetë e AI-së nuk ka të bëjë vetëm me arsyetimin logjik-deduktiv, por me aftësinë për të zhvilluar noesis -in, apo kuptimin intuitiv dhe të drejtpërdrejtë të realitetit konkret fizik.
Noesis i referohet aftësisë së intelektit për të kuptuar idetë ose të vërtetat universale pa patur nevojë që ai të kalojë procesin e arsyetimit. Kjo formë e njohurive të menjëhershme dhe të thella përfaqëson një aspekt thelbësor të inteligjencës njerëzore dhe përbën një sfidë ende të hapur për të tashmen dhe të ardhmen hibride të inteligjencës artificiale. Për më tepër kur kjo e fundit, gjendet përballë artistit bashkëkohor, e për rrjedhojë, të botëkuptimit të ekzistencës së artit bashkëkohor si qasje semioestetike.
Deri më tani, zhvillimet në AI-së kanë bërë të mundur krijimin e makinave të afta për të arsyetuar dhe mësuar duke ndjekur modele dhe algoritme të ndërlikuara logjike. Ky revolucion i tejskajshëm i inteligjencës artificiale e shëmbëllen realitetin konkret fizik në mënyrë të ngjashme me noesis-in e individit si qenie njerëzore dhe individit si qenie artist, i cili shpërfaq një qasje më holistike dhe të integruar midis dy përmasave, asaj reale dhe asaj artificiale.
Noesis – është një term që rrjedh nga greqishtja e vjetër me fjalën νόησις[grc]-noesis-njohje/vetëdije. Ky term u përdor për herë të parë nga Diogjeni i Apolonisë (shek. V p.e.s.), i cili pohon se akti i njohjes (noesis) i përket Zotit të gjithëdijshëm, i cili i jep rend dhe masë formimit të kozmosit. Noesis merr një vlerë qendrore në mendimin fenomenologjik të Husserl-it, për të cilin (noesis) përfaqëson vetëdijen, e cila është një përvojë e jetuar në tërësi dhe si e atillë, nga pikëpamja subjektive (d.m.th. grupi i shqisave të të kuptuarit), drejtohet drejt objektit të qëllimshëm te përvoja e jetuar (si perceptimi, imagjinata dhe kujtesa). Kjo është vetëdija (noesis), e cila përbën (Noema-n) që ka të bëjë me mendimin/konceptin.
Kjo nënkupton nevojën për të zhvilluar modele të reja të të mësuarit që marrin parasysh, jo vetëm logjikën dhe racionalitetin, por edhe komponentët emocionalë, socialë dhe kulturorë. Të gjitha këto karakterizojnë njohuritë e përvojës jetësore si qenie njerëzore, duke diktuar më pas intuitën dhe qasjen si qenie artist, për t’u përshtatur e krijuar vepra sipas rregullave të reja të estetikës artificiale.
Kërkimi për makineritë e pajisura me noesis-in ka të ngjarë të çojë në një gjeneratë të re të inteligjencës artificiale, që do të jetë në gjendje të kuptojë dhe të ndërveprojë me botën në një mënyrë më të thellë dhe më kuptimplotë. Kjo arritje e tejskajshme teknologjike do të vijojë të ketë një ndikim të madh në zhvillimin e vetëdijes së artistit bashkëkohor sot, dhe të artistit të inteligjencës artificiale të së ardhmes hibride. Një prani paralele, e cila do të jetë e përditshmja e artistit mendimtar, konceptues, por jo më ekzekutues, pasi procesi krijues i veprës artistike do të kalojë nga artisti real tek makineritë zbatuese të AI-së, nga artisti si gjallesë frymore, tek artisti virtual.
Noesis në bashkëkohësinë tonë të estetikës artificiale, merr një tjetër botëkuptim në krahasim me atë për të cilën Diogjeni e krijoi; është e tashmja e ardhme që ndihmon në krijimin e një marrëdhënieje, ku AI-ja dhe artisti bashkëkohor të bashkëpunojnë ndërsjellë në mënyra plotësuese mes tyre.
Shpikja e inteligjencës artificiale për artistin dhe artin bashkëkohor ka sjellë me vete sfida dhe mundësi të panjohura më parë në fushën e filozofisë, semiotikës dhe metafizikës, të cilat janë elementet e domosdoshme për procesin krijues dhe për gjithë formimin e vetë veprës artistike. Sfida të cilat vendosin në dilema të mëdha ekzistencën e të dyja entiteteve: ARTISTIT REAL, fizik që percepton konkreten e prekshme dhe të ndjeshme, përpunon realitetin e përjetuar në thellësi të nënvetëdijes së tij dhe krijon imazhin falë mekanizmave neurologjikë që nxisin imagjinatën krijuese. Një proces krijues që ka një trajektore, e cila tejshkon kohë-hapësirën nga noesis dhe përfundon tek noema. Proces ky i përbërë nga perceptimi, vetëdija dhe krijimi që e gjallëron materien, duke i dhënë asaj një formë dhe një rend që i përket Anima Mundi-t.
Holistike – është interpretimi i fenomeneve jetësore në tërësinë e tyre dhe jo të ndarë veçmas njëri nga tjetri. Ky term rrjedh nga greqishtja e vjetër me fjalën ὅλος[grc]-holo-tërësi, duke iu referuar interpretimit teorik dhe filozofik, sipas të cilit vetitë e një sistemi nuk mund të shpjegohen të ndarë nga tërësia e përbërësve të tij individualë, pasi përmbledhja funksionale e pjesëve është gjithmonë më e madhe, ose në çdo rast e ndryshme, se të njëjtat pjesë të marra individualisht. J. Smuts e përkufizoi holizmin si: “...prirja e natyrës për të formuar tërësi që janë më të mëdha se shuma e pjesëve të ndara mes tyre. Kjo falë evolucionit krijues”.
Ndërsa ARTISTI VIRTUAL i AI-s është shumësia e prodhuar nga elektromagnetizmi i krijuar nga makinat e të menduarit në mënyrë artificiale, që e tejkalojnë termin noesis (të artistit thjeshtë të vetëdijshëm). Makina të cilat janë të afta për të kapërcyer kufijtë e arsyetimit logjik-deduktiv, për të arritur një kuptim më të thellë dhe më të plotë të fenomenologjisë së artit bashkëkohor. Kjo bën që imazhi përfundimtar i veprës artistike të përkthehet në mënyrë kodifikuese sipas estetikës artificiale dhe jo më sipas ndjeshmërisë, apo gjendjes psikoshpirtërore të një artisti real.
Në mes të këtij dualizmi midis artistit real fizik dhe artistit virtual të AI-së ndërvepron në mënyrë të padukshme, por të ndjeshme vala elektromagnetike, ku E është fusha elektrike dhe B është fusha magnetike. Zakonisht ato përshkruhen me vektorë në një hapësirë tripërmasore. Fusha elektrike është një fushë force konservatore e krijuar në hapësirë nga prania e ngarkesave elektrike të palëvizshme. Ndërsa fusha magnetike është një fushë vektoriale jo konservatore e krijuar nga ngarkesat lëvizëse:
∇×Ε=-∂B/∂t ∇ ∙B=0
Proces ky i ndërlikuar, por i aftë për të përçuar nga artisti real të dhëna që përftohen drejtpërdrejt nga artisti virtual artificial. Ndërsa ky i fundit falë të dhënave të përftuara, gjeneron imazhin e kodifikuar sipas estetikës artificiale. E gjitha kjo për të treguar e demonstruar se si përparimi i tejskajshëm teknologjik po ndikon mënyrën e të perceptuarit, të të menduarit dhe të krijuarit të artistit bashkëkohor. Një revolucion zhvillimor i noesis-it, që padyshim në të ardhmen do të rikonceptojë konceptin e njohur deri më tani të kohë-hapësirës dhe se si artisti, apo arti bashkëkohor ndërvepron me të, në kuptim të zotërimit të raporteve formë-vëllim=kohë+hapësirë.
Noema – është një term që rrjedh nga greqishtja e vjetër me fjalën νόημα[grc]-noema-mendim/koncept. Ky term u përdor për herë të parë nga Parmenidi, i cili e identifikon atë me “mendimin e të së vërtetës” jo të ndryshëm nga “arsyetimi i vërtetë”, duke qenë kësisoj në kundërshti me “mendimet e vdekshme”, që rrjedhin nga shqisat. Sipas Parmenidit idetë nuk janë gjë tjetër, por mendime (noema) të diçkaje që mendohet si tërësia e “një” të vetme. Ndërsa sipas fenomenologjisë së Edmund Husserl, "përmbajtja noematike" (noema), përftohet nga "vetëdija e qëllimshme" e noesis-it. Mendimi (noema) përkon me vetë përvojën e jetuar të të dhënave objektive të perceptuara, ndërsa veprimi i mendimit është vetë noesis-i, që në thelb është forma subjektive e Erlebnis[de]- përvojës.
Anima Mundi – është një term filozofik i përdorur nga platonistët për të treguar gjallërinë e natyrës në tërësinë e saj, të njësuar brenda një organizmi të vetëm të gjallë. Anima Mundi (Shpirti i Botës) përfaqëson parimin njehsues nga i cili marrin formë organizmat individualë, të cilët megjithëse secili është i formuar dhe i dallueshëm sipas tipareve vetjake, përsëri janë të lidhur mes tyre nga një shpirt i përbashkët universal.
Elektromagnetizmi – është një ndërveprim që i përket fizikës. Veprimtaria elektromagnetike ndodh midis grimcave me ngarkesë elektrike nëpërmjet fushave elektromagnetike. Forca elektromagnetike është një nga katër forcat themelore të natyrës. Elektromagnetizmi është forca mbizotëruese në ndërveprimet e atomeve dhe molekulave.
Ky është një moment themelor për artistin dhe artin bashkëkohor, sepse jemi përballë faktit të një rifillimi, të një zanafille që do të “muzealizojë” të gjithë periudhën pararendëse të të konceptuarit dhe të të krijuarit të veprës artistike e për rrjedhojë, edhe të njerëzmit në tërësi.
Nëse inteligjenca artificiale do të arrijë të asimilojë edhe noesis-in, atëherë do të kuptojmë se kemi hedhur hapin e parë në të përtejshmen metafizike, e cila mund të mbështesë dhe pasurojë përvojën njerëzore në të gjitha aspektet e saj. Kjo nënkupton se për herë të parë AI-ja parakalon krijuesin e vet, njeriun.
Qëllimi përfundimtar i këtij udhëtimi nëpër shtigjet e praktikës së artistit dhe artit bashkëkohor është të kuptojmë se si teknologjia e shpikur nga njeriu për të zgjeruar ose përforcuar aftësitë e tij trupore dhe mendore për të zotëruar të pazotërueshmen, universin, po përparon skajshëm, duke bërë të lindë një entitet i ri, ai i “Homo Artificial Artist”.
Në këtë fushëpamje Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Durrësit kërkon, jo vetëm të bëjë bashkë qasje filozofike, konceptuale, antropologjike, semiotike dhe artistë nga kombe të ndryshme, por mbi të gjitha, kërkon të hulumtojë të pakdukshmen metafizike, atë që vetëm inteligjenca artificiale mund ta depërtojë e për rrjedhojë ta parashikojë, duke vendosur në teh të mëdyshjes të ardhmen hibride të njerëzimit.
Artistët janë pararoja e çdo zhvillimi shoqëror dhe sistemi politik e si të atillë ata me largpamësinë e tyre nuk mund të qëndrojnë të heshtur, mënjanë, karshi këtij fenomeni që e shpie njerëzimin përpara: “Inteligjenca artificiale”, e cila përpos gjithëpërfshirjes zhvillimore, rrezikon thelbësisht ekzistencën e vetë qenies njerëzore dhe gjallesave të tjera që popullojnë planetin Tokë, duke i dhënë mundësinë të panjohurës me të “ardhmen hibride”, për rikrijimin në zanafillë të një jete, të një përmase dhe të një ekzistence të re.
Kjo si për të thënë dhe për të dëshmuar nëpërmjet veprave të artit bashkëkohor, shëmbëllimin e bashkëkohësinë sonë në të cilën jetojmë dhe të paqenën që na pret në të ardhmen e pajetuar.