Zeng YI ka lindur në vitin 1949 në Jinan, Shandong, Kinë. Ai është drejtor i përgjithshëm i Muzeut të Kolegjit të Arteve dhe Dizajnit Shandong, drejtor i Galerisë Lindore të Artit Modern dhe kryetar i Shoqatës së Fotografëve, Jinan. Zeng Yi është autor i shumë ekspozitave vetjake kombëtare dhe ndërkombëtare për fotografinë artistike. Përpos ekspozitave, ai është vlerësuar me “Çmimin e Kulturës Aziatike” nga UNESCO. Yi ka një kontribut të njohur edhe si kurator i disa ekspozitave si: Ekspozitës me veprat e Pikasos në Pekin; Ekspozitës së Kulturës së Konfucit; Konkursit të Fotografisë dhe Bienales Ndërkombëtare të Fotografisë Bashkëkohore në Jinan.
Kina antropologjike
Fotografi, (10) 33.5 x 23.2 cm secila, 1982-2016
Qasja konceptuale:
Lentet fotografike të Yi-t i shndërrojnë fytyrat e banorëve të vegjël kureshtarë dhe punëtorëve të moshuar të shenjuar nga lodhja dhe kalimi i kohës në një subjekt rrëfimtari të shoqërisë kineze, që imazh pas imazhi shpërfaqin skena plot narrativë dhe dramaticitet prekës. Një cikël fotografish, që shikon përtej Kinës politike dhe pasurisë ekonomike. Në këto fotografi shfaqet, me gjithë kuptimin e tij revolucioni njerëzor kinez, që falë ndjeshmërisë dhe këmbënguljes së Zeng Yi-t, arriti të depërtojë e të bëhet i njohur në të gjithë botën. Kjo, duke lënë mënjanë madhështinë e imazheve politike dhe duke dokumentuar gjatë dekadave dinamikën delikate dhe të ndërlikuar të një tjetërsimi epokal që shoqëria kineze ka pësur ndër vite. Pamjet në këto fotografi janë pa britma, aq sa duket sikur i kërkojnë çdo vizitori që gjendet përballë tyre, të zhytet në një botë në dukje të largët, por kaq të afërt me tonën, saqë është vështirë t’i braktisësh ato shikime të mbetura pezull mbi fotografitë e stampuara në letër.