Rreth Nesh

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Durrësit (DIBoCA) është një ekspozitë e përdyvitshme jofitimprurëse, e themeluar në Durrës nga artisti, esteti, kuratori, historiani dhe kritiku i artit, Ph.D. Oltsen Gripshi.

Kjo ekspozitë e ka algoritmin e zhvillimit të saj në çdo dy vite (biennale) dhe kërkon të bëjë bashkë rrymat, qasjet estetike dhe stilistike më të fundit të artit bashkëkohor ndërkombëtar, duke e shndërruar qytetin e Durrësit një herë në dy vite, në skenën më të rëndësishme dhe kuptimplotë, për sa i përket artit pamor kudo gjetkë.

Kjo ekspozitë e përdyvitshme ndërkombëtare e artit bashkëkohor mbështetet nga Bashkia e Durrësit, si një mënyrë për të përqëndruar vëmendjen krijuese të artistëve më të shquar të artit bashkëkohor, vendas dhe të huaj, në qytetin më të lashtë të Shqipërisë.

Qyteti i njohur në antikitet me emrin Dyrrah, Epidamn, Dyrrachium dhe sot Durrës, që shkëlqimin më të madh e pati me mbërritjen e mbretit ilir Monun, i cili përgjatë sundimit të tij në vendbanimet e taulantëve në Durrës rreth 290 – 270 para Krishtit, ishte i pari mbret ilir që prodhoi monedhat e tij të argjendit, ku në njërën anë të tyre, konfigurohej lopa me viçin duke pirë gji, (simbol ky i marrë nga stateret dyrrahase) dhe nofulla e poshtme e derrit të egër, e ravijëzuar mbi shpinën e lopës, (simbol i shtëpisë mbretërore të ilirëve). Ndërsa nga ana tjetër, paraqitet një katror i mbushur me zbukurime lineare të stilizuara, që simbolizojnë Kopshtin e Alkinout dhe përgjatë brinjëve të katrorit, shkruhet emri i shkurtuar i Dyrrahut (DYRRA), titulli, emri i mbretit Monun (Basiloeos Monuniu) dhe topurrja, arma e Herakliut njohur në mitologji si themeluesi i Durrësit.

Logoja e Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit, frymëzohet nga kjo monedhë dhe në brinjët e katrorit, janë shkruar shkurtimet në shqip të vetë bienales: BNABD. Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor të Durrësit ka për qëllim ngritjen e një dialogu midis artistëve bashkëkohorë shqiptarë me pjesën tjetër të botës, duke e kthyer qytetin e Durrësit gjithnjë e më shumë, në një sizmograf të zhvillimeve në lëmin e artit bashkëkohor.

Përpos bashkëndarjes së përvojës artistike mes artistëve shqiptarë dhe atyre të huaj, ky aktivitet kulturor është edukues dhe gjithëpërfshirës e si i tillë, i drejtohet një publiku pa moshë, pa përcaktime fetare dhe racore.

Padyshim që veprimtaria artistike e bienales nuk kufizohet vetëm në të bërit bashkë krijimtarinë e një grupi artistësh, por gjatë qëndrimit hapur të saj, organizohen workshop-e dhe Art-Talk, duke ftuar artistët, kuratorët, historianët, kritikët, galeristët dhe muzeologët më të spikatur vendas e të huaj, të cilët në praktikën e veprimtarisë së tyre kanë në qendër artin bashkëkohor, në të gjitha përmasat e tij. Themelore dhe thelbësore për BNABD-në është ndërveprimi me komunitetin vendas, si një mënyrë për gjithë formimin dhe dijebërjen, për një edukim cilësor përmes artit dhe kulturës.

Ndër të tjera kjo ngjarje artistike e përdyvitshme, synon jo thjesht organizimin e një ekspozite démodé, por krijimin e një brand-i identifikues për qytetin e Durrësit, gjithëpërfaqësues të territorit, mendësisë dhe antropologjisë vendase, por me një largpamësi ndërkombëtare, ku kryefjalë e secilës, është cilësia e lartë artistike në ndërthurjen midis artistëve të afirmuar dhe talenteve të reja. Në këtë fushëpamje BNADB-ja synon të jetë e qëndrueshme dhe afatgjatë në kohë, falë konceptimit të saj dhe qasjeve të reja artistike çdo dy vite.

Themelimi i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit, në bashkëkohësinë në të cilën jetojmë, është tashmë një domosdoshmëri për qytetin bregdetar që shikon drejt Perëndimit, komunitetin vendas dhe vendosjen e qytetit si pjesë të një harte të rëndësishme kombëtare dhe ndërkombëtare të artit bashkëkohor.

Në çdo dy vite, BNABD-ja do të sjellë një vështrim të ri në raport me realitetin, duke iu qasur dhe luajtur një rol udhëheqës, për të çuar përpara diskursin ndërkombëtar për artin në drejtime të reja.

Bienalja e Durrësit është një institucion, që shkon përtej një shëmbëllimi të asaj që ndodh aktualisht në bashkëkohësinë tonë. Ajo kërkon të hulumtojë veprën artistike si në aspektin semiotik, ashtu edhe në atë përmbajtësor estetik-filozofik, duke ftuar vëmendjen e botës së artit bashkëkohor ndërkombëtar çdo dy vite në Durrës, për t’i dhënë zë dinamikave dhe diskutimeve rreth çdo qasjeje që reflekton dhe sfidon pritshmëritë e shoqërisë për artin pamor.