Sadik SPAHIJA ka lindur në vitin 1959 në Shkodër. Ai është skulptor dhe profesor në Fakultetin e Arteve të Bukura, pranë Universitetit të Arteve në Tiranë. Në vitin 1983 u diplomua për skulpturë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe në vitin 1998, përfundoi specializimin në artet plastike në Shkollën e Lartë Kombëtare të Arteve të Aplikuara dhe Mjeshtërisë Artistike në Paris, Francë. Skulptori Spahija është autor i disa ekspozitave vetjake në Art Turbina (2017); FAB – Galeria e Fakultetit të Arteve (2012); Cité Internationale des Arts (2003); Halle dhe Berlin (1995) dhe pjesëmarrës në shumë ekspozita të përbashkëta në: Galerinë Kombëtare të Arteve Tiranë dhe Prishtinë, Galeria Kalo; ME-WE; Contemporary Art Center, Korçë; Palace of Europe, Strasburg; Gallery Miejska bva w Bydgoszczy, Poloni; Biennial tina B mobilnale, Pragë; ArtMar Biennial of the Mediterranean, Barcelonë.
Ai është fitues i disa çmimeve kombëtare si: Çmimi Kult (2018); Çmimi i Parë Onufri (1996), Çmimi i Parë për Monumenti i Demokracisë (1994); Çmimi i Tretë Onufri (1994) dhe vlerësuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Naim Frashëri i Artë (2007). Aktualisht është Dekan i Fakultetit të Arteve të Bukura, pranë Universitetit të Arteve në Tiranë.
Kopshti i humburInstalacion skulpturor, dru, qeramikë, metal, allçi, qymyr dh zhavorr, 9 x 4 x 1.5 m, 2024
Qasja konceptuale:
Vepra hap një panoramë referencash që shtrojnë pyetje mbi rolin e njeriut në prespektivat e së ardhmes duke parashtruar lëvizje paralele që ecin me ritme të ndryshme. Instalacioni skulpturor është një koleksion objektesh që kanë humbur funksionin e tyre, të mbetura dhe të braktisura si mbas një tragjedie. Çdo objekt mban një histori, një jetë, një të kaluar. Spektatori vëren me kujdes gjuhën e objekteve, nën një perceptim të së tashmes, që ka humbur zërin origjinal dhe historinë e vet, duke hyrë në një marrëdhënie të tjetërsuar të njeriut dhe mjedisit, të njeriut dhe produktit të tij. Vepra shtrihet e tëra përtokë, e mbetur atje duke evokuar aspekte të narrativave historike, politike e kulturore. Instalimi përfshin një dendësi objektesh, mbetje urbane, fragmente njerëzore, copëza të natyrës, i dergjur horizontalisht, i trajtuar pothuajse bardh e zi, i djegur realisht për ta zhveshur spektatorin nga konforti i një hapësire ekspozuese, por për ta trupëzuar në përvoja të përditshme tjetërsuese. Instalacioni është vendosur në një hapësirë urbane mjaft aktive si një apel që fton komunitetin në një dialog kulturor mbi faktorët social, ekonomik dhe estetik që ndikojnë në jetën e tij. Spektatori përballet me një monument të rrënuar që krijon një gjendje të pashpresë, që nuk lartëson asgjë, por bën apel për një ndërgjegjësim publik, në një kohë kur konfliktet dhe paqja janë aq të brishta dhe po ashtu, teknologjia dhe efekti i saj mbi natyrën.