Bujar LUCA ka lindur në vitin 1954 në Tiranë. Në vitin 1978 u diplomua për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve të Bukura në Tiranë. Prej vitit 1977 deri në vitin 1990 punoi si skenograf dhe kostumograf në “Alba Film” Tiranë.
Bujar Luca është ndër piktorët më të rëndësishëm të pikturës shqiptare, i cili pas viteve ’90, është autor i shumë ekspozitave vetjake si: COD – Qendra për Hapje dhe Dialog, Tiranë (2023); Galerie Babel, Paris (2022); Musée Pera (2020); Galerie Le Purgatoire, Paris (2019); MACA Museo Arte Contemporanea, Acri (2018); Galleria Zabert, Torino (2017); Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë (2015); Salle des Fêtes Mairie du XIV- éme, Paris (1999); Lucernaire, Centre National d’Art et d’Essai, Paris (1993); Galerie Cobra Bruksel, (1992);Tour Eiffel, Paris (1992), Galeria Gérard Rambaud, Paris (1991); Glasgoë school of Art, Glasgoë, Ecosse (1990).
Bujar Luca është autor i dy përmbledhjeve me poezi “Oniromancie”, botuar në Francë dhe “Couleuronymy”, botuar frëngjisht-shqip në Shqipëri. Në vitet 1979, 1981, 1985, është fitues i çmimit të parë në Festivalin e Filmit Shqiptar si Kostumograf. Në vitin 2008, dekorohet me medaljen Ambasador i Kombit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe në vitin 2006, vlerësohet me Medaljen e Argjendtë të Fondacionit Richard Lounsbery nga Akademia e Arkitekturës në Paris. Prej vitit 1990, jeton dhe punon në Paris.
Në sulm për t’u bërë i lavdishëm
Akrilik mbi pëlhurë, 161,5 x 69,5 cm, 2006
Qasja konceptuale:
Kjo tabllo na sjell si vision, absurditetin e dëshirave ambicioze e vanitoze për të qenë më lart se tjetri, për t’iu imponuar me çdo kusht. Dukuria bëhet më e rëndësishme se të qenit. Në maja janë ngjitur më mburravecët, më egoistët, më krenarët, më kokëfortët, më pretenduesit më arrogantët etj. Kjo tablo është bërë për të na kujtuar thënien e huazuar nga Ekleziasti: “Gjithçka është kotësi”.