Alfred MIRASHI MILOT është artist bashkëkohor i lindur në vitin 1969, jeton dhe punon në Firence. Ai u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera të Milanos në vitin 1999. Më pas falë një burse studimi ai studioi në Universitetin e Artit dhe Dizajnit në Loughborough të Anglisë.
Në vitin 2003 ai hap ekspozitën e parë vetjake në Muzeun Maschio Angioino në Napoli titulluar “Le Veneri di Milot”, kuruar nga Francesco Poli dhe Eduardo Cicelyn. Prej këtij viti për artistin shqiptar nis një rrugëtim i pasur me ekspozita vetjake dhe të përbashkëta si: Edicioni i VI-të i Bienales Ndërkombëtare të Artit të Pekinit në Muzeun Kombëtar të Pekinit (2012), “Open 14”, Venecia Lido, kuruar nga Paolo De Grandis (2014), “Azione e Pensiero Xhixha e Milot”, ekspozitë e përbashkët me artistin Helidon Xhixha, Pallati Mbretëror në Torino, kuruar nga Anselmo Villata (2016), Edicioni i X-të “Stemperando” – Bienalja e Veprave mbi Letër të Torinos, “Believe”, ekspozitë vetjake në Galerinë Tornabuoni në Firence, kuruar nga Lucio Trizzino (2016) dhe në të njëjtin vit përuron skulpturën e tij monumentale në Lizzanello (LE), pjesë e ekspozitës “Art & të drejtat e njeriut”, kuruar nga Massimo Guastella, “La Chiave di Cervinara”, realizimi i skulpturës monumentale në Cervinara, kuruar nga Peppino Vaccariello (2018), “The International Artist and Children’s Art”, kuruar nga Liu Ruowang në Pekin (2019), “Key for Humanity”, ekspozitë vetjake në Muzeun e Artit Bashkëkohor Arcos të Beneventos, kuruar nga Ferdinando Creta dhe Nello Valente (2018) dhe “Key of Today”, ekspozimi i skulpturës monumentale në Piazza del Mercato në Napoli, kuruar nga Maurizio De Giovanni dhe drejtor artistik Michele Stanzione (2022).
Alfred Mirashi Milot përpos krijmtarisë së pasur si artist ka kuruar edhe ekspozita të rëndësishme ndërkombëtare si: Pavijonin e Shqipërisë në Edicionin e VI-të të Bienales së Veprave mbi Letër në Bibliotekën Kombëtare Universitare në Torino, Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë dhe Muzeun e Villa Vecchia di Villa Doria Pamphili në Romë (2015), Edicionin e VI-të të Bienales Ndërkombëtare të Fotografisë Jinan, Shandong, Kinë (2016), ekspozitës vetjake të fotografit të mirënjohur ndërkombëtar kinez Zeng Yi në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë (2016) dhe instalimin e dy skulpturave monumentale të artistit Wu Weishan në Muzeun Leonardiano në Vinci.
Artisti Milot është vlerësuar dhe nderuar me shumë çmime prestigjoze ndërkombëtare si: “Premio alle Eccellenze” nga Napoli Cultural Classic (2010), medalje e artë në pikturë nga Barbican Center Museum në Londër gjatë Lojërave Olimpike (2012), çmimi i parë nga Muzeu Water Cube në Pekin (2015), Visiting Professor nga Universiteti i Artit dhe Dizajnit të Shandong-ut në Kinë (2016), çmimi i parë në ekspozitën “Eccellenze dell’Arte Contemporanea” në Romë, kuruar nga Francesco Gallo Mazzeo (2016) dhe çmimi i karrierës “Artisuavitas” në Pallatin Mbretëror të Napolit (2022).
Prej vitit 2020 ai është drejtor i Muzeut të Artit DODO në Pekin. Veprat e tij janë pjesë e koleksioneve të shumta në muze dhe institucione publike.