Teuta DHIMA lindi në vitin 1975 në Vlorë. Me mbarimin e shkollës së mesme Pedagogjike “17 Nëntori”, fillon studimet në Universitetin Shtetëror të Tiranës, Fakulteti Filologjisë dhe Historisë, dega gjuhë dhe letërsi shqipe, të cilat ndiqen nga ato në Shkollën Kombëtare të Bibliotekonomisë dhe kursit 1-vjeçar të specializimit, pranë Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Që prej vitit 2007 e në vazhdim punon si bibliografe pranë Bibliotekës Publike Durrës ku edhe moderon takimet kushtuar librit që ajo zhvillon. Organizon dhe moderon prej vitit 2023, takimet e Klubit të Librit “Gjergj Vlashi”.
Veprimtaria e saj në publicistikë ka sjellë bashkëpunime me gazetat: “Dyrrah”, “Sintagma”, “Fjala”, “Nacional”, “Liberale”, “ExLibris”, ku ka botuar recensione, artikuj, reportazhe, ese dhe analiza.
Ndërsa veprimtaria e saj në botime përmbledh redaktimin dhe korrektimin e librave me poezi dhe romane, për shtëpitë botuese “2M” dhe “Jozef”.
Është autore e dy librave me poezi: “Lus Tokën” (2021) dhe “Përse mendohet një luledielli” (2023).