Ryan KOOPMANS ka lindur në vitin 1986 në Amsterdam, Hollandë. Në vitin 2008 u diplomua për teknikat tradicionale të vizatimit në Universitetin e Artit dhe Dizajnit “Emily Carr”, Vankuver, Kanada. Në vitin 2009 u diplomua për studime ndërdisiplinore në Universitetin British Columbia, Vankuver, Kanada dhe në vitin 2012, u diplomua për fotografi, video dhe media në Shkollën e Arteve Pamore, New York, SHBA. Ai është një artist i specializuar në ringjalljen pamore të arkitekturës së braktisur, falë përdorimit të një sërë teknikash krijuese, duke i tjetërsuar hapësirat fizike të botës reale në mjedise digjitale magjepsëse, që turbullojnë kufijtë midis realitetit dhe trillimit. Ai është autor i disa ekspozitave të mbajtura në Vitrina e Christie’s New York në Art Basel Miami (2023); Luxeverse në Muzeun e së Ardhmes, Dubai (2023); Architectural Digest Design Show, Mumbai, Indi (2023) dhe Natively Digital në Sotheby’s Paris, Francë (2023). Në vitin 2020, Koopmans botoi Vantage, një libër që shfaq strukturat surreale në qytetet e mëdha dhe peizazhet urbane.
Alice WEXELL ka lindur në vitin 1992 në Stokholm, Suedi. Ajo është një artiste dhe fotografe 3D suedeze, e interesuar në ripërtëritjen dhe rikrijimin e mjediseve surreale përmes teknologjive të reja inteligjencës artificiale. Në vitin 2014 u diplomua për Kulturat Digjitale dhe Komunikim Strategjik në Universitetin e Lundit, Suedi, në 2015-ën u diplomua për dizajn webbdesign med HTML dhe CSS në Universitetin e Uppsalës, Suedi dhe në vitin 2021, u diplomua për Modelim 3D dhe Animacion në Universitetin Gävle, Suedi. Gjatë dekadës së fundit, Wexell ka punuar përkrah Koopmans në projekte të artit digjital dhe fotografisë në të gjithë botën. Projekti i tyre i mirënjohur bashkëpunues, The Wild Within, eksploron marrëdhënien e ndërlikuar mes natyrës, arkitekturës dhe kohës dhe e kanë ekspozuar në Vitrina e Christie’s New York në Art Basel Miami (2023); Luxeverse në Muzeun e së Ardhmes, Dubai (2023); Architectural Digest Design Show, Mumbai, Indi (2023) dhe Natively Digital në Sotheby’s Paris, Francë (2023).
The Wild Within
1. Origjina, fotografi 3D, 200 x 112 cm, 2024
2. Përtej velit, fotografi 3D, 200 x 112 cm, 2024
3. Dëshira, fotografi 3D, 112 x 200 cm, 2022
4. Devotshmëria, fotografi 3D, 200 x 133 cm, 2021
5. Euforia, fotografi 3D, 200 x 112 cm, 2023
6. Korrja, fotografi 3D, 200 x 133 cm, 2021
7. Lartësitë, fotografi 3D, 112 x 200 cm, 2024
8. Zbrazëtia, fotografi 3D, 200 x 133 cm, 2021
9. Sonata e Pranverës, fotografi 3D, 200 x 112 cm, 2024
10. Ora e magjepsur, fotografi 3D, 200 x 112 cm, 2023
11. Pëshpëritje, fotografi 3D, 200 x 112 cm, 2024
12. Mendimi për ty, fotografi 3D, 200 x 112 cm, 2023
Qasja konceptuale:
The Wild Within është një seri veprash arti digjitale që sjellin jetë të re në ndërtesat e braktisura nga një epokë e shkuar. Bazuar në hapësirat fizike të botës reale, është krijuar një rilindje në një sferë digjitale. Qasja konceptuale e kësaj serie veprash është hulumtimi i vendeve të ndryshme përreth botës, duke gjurmuar, zbuluar dhe kapur në mënyrë të ndërlikuar, strukturat arkitekturore të braktisura që kanë përjetuar një tranzicion dramatik. Teknika e përdorur është ajo e lentes, duke përfshirë teknologjinë digjitale për zhvendosjen dhe lëvizjen e fotografive dhe fotogrametrisë 3D, të cilat ndërthurin së bashku imazhet për të formuar një pamje të hollësishme të strukturës. Subjekti i vendndodhjeve zgjidhet me kontekste të ndryshme socio-historike duke vlerësuar edhe cilësitë arkitekturore të godinës. Kapitulli i parë i kësaj serie filloi me qytetin gjeorgjian të Tskaltubos, duke vijuar më pas me rrënojat arkitekturore në Liban, Armeni, Poloni dhe Itali.
Pas fotografimit ata u mbivendosin imazheve të fotografuara në mënyrë digjitale vegjetacionin e dendur, duke modifikuar strukturën dhe ndriçimin me synimin për të ringjallur hapësirat boshe. Kjo si një mënyrë për të rikthyer thelbin e jetës, në hapësirat e dhomave të braktisura. Rezultatet janë një përplasje surreale midis së kaluarës dhe së ardhmes, mjedisit natural dhe atij të krijuar nga njeriu, fizikes dhe digjitales, reales dhe imagjinares. Qëllimi i veprës artistike është të krijojë një ndjenjë surreale qetësie dhe joshjeje gjatë marrëdhënieve të ndërlikuara midis botës së prodhuar dhe asaj natyrore. Në jetën reale shumë nga ndërtesat e përshkruara në The Wild Within, shpërfaqin konceptin e kohës që kalon në ciklin e rritjes dhe kalbjes së jetës.