Antonio PAUCAR ka lindur në vitin 1973 në Huancayo, Peru. Ai u diplomua për Arte Pamore në Universität der Künste, Berlin. Paucar krijon një gjuhë tërësisht vetjake artistike përmes performancave, skulpturave dhe video-artit. Praktika e tij artistike thellohet në temat e konflikteve bashkëkohore, vrasjen e liderëve indigjenë, ndryshimet klimatike dhe teknologjinë e mbikëqyrjes. I frymëzuar nga traditat stërgjyshore nga Andet peruane dhe Amazona, Paucar ngre pyetje të thella në lidhje me pasojat e kolonizimit në të tashmen. Artisti nxit një dialog midis skenave të ndryshme artistike botërore, duke pasuruar punën e tij me një këndvështrim të shumëanshëm. Krijimtaria e tij aristike është ekspozuar në shumë institucione të rëndësishme në: Peru, Gjermani, Meksikë, Filipine, Spanjë, Japoni dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pjesët e tij janë pjesë e koleksioneve ndërkombëtare, duke përfshirë Muzeun e Artit Modern në Nju Jork, Museo de Arte de Lima dhe Institut für Auslandsbeziehungen, Berlin. Paucar është vlerësuar me Çmimin LARA (2013) dhe Çmimin e Artit Kunstpreis Zeitsicht (2011), Augsburg. Ai jeton dhe punon midis Berlinit dhe Huancayo në Peru.
Në pritje të një ndryshimi / Waiting for a ChangeVideo-art, 1:27 min, 2005
Qasja konceptuale:
Vepra video-art e Antonio Paucar-it “Waiting for a Change” (2005) kap artistin duke qëndruar mbi kokën e tij, përballë semaforit të një rruge në Berlinin Perëndimor. Në një vendkalim të ngarkuar. Paucar mbetet i përmbysur, i mbështetur vetëm mbi kokën e tij, me krahët ngjitur pas trupit, duke pasqyruar figurën dalluese të dritës së kuqe për këmbësorin, në semaforin e rrugës. Videoja krahason qetësinë meditative të pozës së tij me peizazhin dinamik urban, duke nxjerrë në pah qetësinë e pazakontë të artistit, mes nxitimit të qytetit dhe zhurmës së trafikut të makinave.
Ndërsa Paucar qëndron me kokë poshtë për kohëzgjatjen e dritës së kuqe (mbi një minutë), këmbësorët kalojnë rrugën, duke mos ditur qëndrueshmërinë e tij dhe sinjalin për pushim. Kjo performancë e shndërron aktin e zakonshëm të pritjes në semafor, në një meditim të thellë mbi durimin, pritjen për ndryshim dhe perspektivën. Kur drita bëhet e gjelbër, Paucar zbret nga bazamenti i tij, kalon rrugën dhe del nga korniza, duke mishëruar një ndryshim të mirëfilltë figurativ dhe të gjendjes shpirtërore. Vepra sfidon shikuesit të rishqyrtojnë ritmet e jetës së përditshme, duke përzier qëndrueshmërinë fizike me një prani urbane soditëse. Shoqëria e Burnout, siç e quan filozofi koreano-jugor Byung Chul Han, pasi video, ndonëse është realizuar në vitin 2005, mesazhi i saj mbetet i vlefshëm edhe sot, duke na ftuar të pyesim veten nëse, presim ndryshim apo shkatërrim?!