Rosa MUNDI është pseudonimi i artistes italiane. Ajo ka lindur në vitin 1970 në Venecia, Itali. Mundi jeton midis dy ishujve të detit dhe një ishulli lumor. Ajo u diplomua për pikturë, skulpturë, koreografi dhe histori arti në Akademinë e Arteve të Bukura në Venecia, Academie des Beaux Arts në Strasburg dhe Ecole Martenot në Paris. Një gjurmuese e qytetërimeve të kaluara dhe atyre të së tashmes, Rosa Mundi, shpërfaq në artin e saj ngjarje reale nga jeta e përditshme duke i mbivendosur atyre ndjenjat njerëzore. Në krijimtarinë e saj Mundi ka preferuar gjithmonë përdorimin e materialeve të ricikluara, me synimin për t'i dhënë atyre një jetë të re, si pjesë e një procesi metamorfoze. Arti i saj karakterizohet nga një studim mbi dritën dhe reflektimet.
HOMO SINE HOMO: metamorfico postumano
Instalacion, teknikë e përzier, 86 x 30 cm, 2022 – 2024
Qasja konceptuale:
Veprat e përfshira në tërësinë e instalacionit rrëfejnë për një botë në të cilën njeriu, falë rehatisë së tij si qenie i ka dhënë shumë hapësirë inteligjencës artificiale, gjë që dalëngadalë po shndërrohet në domosdoshmëri aq sa në fund, qenia njerëzore rrezikon të zëvendësohet nga vetë ajo.
Dy valixhet HOMO DIGITAL WEB dhe HOMO SINE HOMO përfaqësojnë në mënyrë metaforike, e para: “The HOMO DIGITAL WEB”, sintezën e njeriut që heq dorë nga nënshkrimi i tij (firma), gjë, e cila e ka gjurmuar me shekuj identitetin e tij të vërtetë, për t’ia deleguar tashmë atë një prej shumë gjurmëve të tij digjitale, që e shpien qenien njerëzore në pranimin e nënkuptuar të një shumëfishimi të identiteteve të tij në web. Ndërsa valixhja e dytë, “HOMO SINE HOMO”, është metamorfoza e mëpasshme e njeriut, i cili falë inteligjencës artificiale, pothuajse pa e kuptuar, zëvendësohet nga një lloj roboti që ka memorizuar, në një valixhe të madhe mbi rrota të gjithë historinë e tij. Në pjesën e përparme dhe të pasme të valixhes gjigante të tejdukshme, është pikturuar një lloj karikature humanoide – e përfaqësuar nga silueta e një lepuri duke vrapuar, e modeluar me bulona. Lepuri, si simbol i ruajtjes së kujtesës jomateriale të njeriut, të një njeriu që tashmë është mendërisht dembel. Një tjetër element që përplotëson instalacionin, është Pinoku i mbuluar me tela elektronikë (në ndërtim) për të na kujtuar se, pjesë e kujtesës historike të njeriut është edhe aftësia për të “gënjyer”. Ndaj si simbolikë të “gënjeshtrës”, Rosa Mundi zgjedh personazhin e Pinokut, duke i bërë një pyetje: përveç diturisë, a do të ketë marrë përsipër inteligjenca artificiale edhe gënjeshtrën, të mirën apo të keqen?