Valérie OKA lindi në vitin 1967 në Abidjan, në Bregun e Fildishtë dhe vdiq më 8 Prill 2023. Ajo ishte një figurë kyçe e skenës së artit bashkëkohor afrikan. Oka u vlerësua me shumë çmime si: Çmimi i Parë i Bashkimit Evropian në Bienalen e Dakarit, Senegal dhe Çmimi i Ekselencës Kulturore nga Qeveria e Bregut të Fildishtë. Ajo ekspozoi për më shumë se 25 vjet në Afrikë si: Abidjan, Senegal, Togo, Nigeri, Afrika e Jugut, Mali dhe përtej saj në nivel ndërkombëtar si: Paris, Londër, Bruksel, Suedi, Itali dhe Nju Jork. Veprat e saj janë pjesë e shumë koleksioneve private dhe në fondacione e muze të ndryshëm në mbarë botën. Në mars 2018 ajo u emërua në mesin e 30 grave më me ndikim të Bregut të Fildishtë, dhe në janar 2019, ajo mori çmimin e ekselencës nga qeveria e Bregut të Fildishtë për karrierën e saj artistike ndërkombëtare. Në vitin 2019, përfaqësoi pavijonin e Bregut të Fildishtë në Ekspozitën e 58-të Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias.
Chuuuuttt
Viedo-art, 4:40 min, 2014
Qasja konceptuale:
Në kërkimin e saj mes feminizmit, mospajtimit dhe sakrificës, trupi bëhet mjeti për një rit proteste: është një tempull i vjedhur që demonstron rezistencë dhe vetëkontroll. Arti i Okës merr gjuhë të ndryshme, por vazhdimisht mbetet një formë revolte dhe lufte për tjetërsimin e shoqërisë afrikane dhe për të drejtat gjinore, politike dhe mjedisore. Vetë Oka shprehet se si afrikane, grua dhe artiste unë mishëroj të gjitha stereotipet që Afrika mbart, duke dëshmuar në të njëjtën kohë bindjen e thellë për të pasur të drejtën dhe detyrën për të qenë vetvetja. Unë e konsideroj veten një zëdhënës “gjinor”dhe përjetoj marrëdhënien perverse dhe konfliktuale të impulseve dhe emocioneve. Kam hulumtuar rreth asaj që mund të jetë e dobishme në lidhjen midis fjalëve: “Afrika", "grua", "trup", "seks", "e kaluara", "aktuale", "e ardhmja", "frika", "trauma" ... mund të jenë të dobishme për të gjithë. Puna ime, e cila përdor njëkohësisht disiplina të ndryshme mediatike dhe artistike, synon të aktivizojë një ngarkesë simbolike, filozofike dhe metafizike.